13.10.2015
Veset E GRAVE
63, Patos, Arnavutluk

Një hyrje të re na bleu në pallat.

Epo, çift i ri, de! Siç është bërë zakoni,
Të rrijë me nusen i qetë dhe rehat,
E ta pinë kafen me qejf të dalin te ballkoni...

Nisi rregullimet miku sipas kohës...
Kërkesat përditë vinin një nga një
Ngulte këmbë si mushka e bija e botës,
Andonin e gjorë gjumi s’e zë më...

S’flasim për pajisje dritash edhe uji,
S’ flasim për dollapë, dekorë dhe bufe,
As pllaka , mermerë, që i marrtë lumi,
Gjithçka duhet hedhur e do bërë e re.

Andoni i shkretë, me rrogë punëtori
Dhe një grusht kacidhe që me zor kish mbledhur,
(Që i patën mbetur) , në shtëpi i mori,
As që diskutoi, shtëpisë për t’ia hedhur.

Si shteroi buxheti, xhepat mbetën bosh,
Shtëpia moderne, siç e donte gruaja,
Na mbeti përgjysmë... donte dhe një kosh
Me para të tjera... paraja... belaja...

Bëri llogarinë dhe drejt bankës shkoi,
Kapar tjetër s’kishte, ndaj shtëpinë vuri,
Ama gjithë dëshirat nuses ia plotësoi,
Dhe pse mbet i shkreti shpatulla pas muri...

Hyri çifti brenda... Nusja fluturonte!
Krenare , e lumtur... me shtëpi të re !!!
Fis e shoqe ftoi, shtëpinë u tregonte
Nga kasollja doli , fluturoi mbi re...

Andoni mendohej : Këmbët shumë i shtriu,
I zhytur në borxhe , me gëzim të vrarë,
Jorgani i shkurtër, këmbët keq ia ngriu,
Rroga që po merrte, ku të shkojë më parë ?

Te kredi e bankës që s’të fal as ditën ?
Tek gjëra të tjera që i do shtëpia?
Me rrogën që merrte, mezi kryente ditën,
Si t’ia bënte hallit? Ç’të bënte mavria ?

Cigaren e preu. Për atë mirë bëri !
Harroi dhe kafenenë , birrë e raki ,
Veç punë e shtëpi...i harroi të tëra...
Harroi farefisin...dhe u mbyll si mi.

Nusja fshinte, lante, dritë ish shtëpia,
Kur vinte Andoni, lodhur , këmbëzvarrë,
Te porta i dilte, gërthiste lubia,
-Ku shkon me këpucë, ti, more i marrë ?

Pu-pu-pu ! Në banjo ! Ikë në banjo shpejt,
Se më shkunde pluhur, mezi i kam larë !
Mos më shiko shtrembër, po shikomë drejt,
Se shtëpi të tillë as ëndërr s’ke parë !

-Aaaa ! Të lutem shumë ! Vetëm në karrike
Ulu, se divanin e kemi për miq !
-Uaaaa ! Ngiji bërrylat , ngriji, se më fike
Se lyen mbulesën me mollë e me fiq !

-Mos lëviz ashtu, se rrudhos shiltetë,
Se jam lodhur shumë, i kam hekurosur!
Ç’t’u them më , o miq ! Kuptojeni vetë,
Vesveset e grave , nuk kanë të sosur!

E harroi krevatin keq të akulluar,
I harroi të tëra, puthje, ledhatime,
Ia mori të gjitha shtëpi e mallkuar
Dhe ditët i shtyn veçse me mallkime.

Tërë ditën në punë, në pluhur, në llaç,
Kur shkon në shtëpi, të rrish përmbi gjemba
Nuk i thua vetes : Zemër, moj, ti plaç !
S’thua për shtëpinë: Mos më shkeltë këmba ?

Zot nuk ka, po fjala kështu na ka mbetur ,
Zot na ruaj nga gratë, erdhi kohë e keqe !
Burrat shkojnë në punë sfiliten e treten,
Dhe druhen nga gratë, siç druhen nga dreqi !

2 views
 
Yorumlar

Henüz hiç yorum yapılmamış.
Yorumunu bırak, tartışmaya başla!

Blog
Bloglar 5 dakikada bir güncelleniyor